“Football Leaks”, Raiola fitoi 48 mln euro nga Pogba

09/05/2017 00:00

Transferimi i Paul Pogba te Manchester United ka bërë që agjenti i tij, Mino Raiola, të përfitojë plot 48 milionë euro. Kjo është ajo që zbulohet në librin “Football Leaks: Biznesi i pisët i futbollit”, që tashmë ka dalë në shitje në libraritë e Gjermanisë.

Tabloidi “The Sun” ka publikuar një pjesë të këtij libri, ku përmendet edhe çështja e kalimit të Pogba, për të cilin Manchester United derdhi në arkat e Juventusit plot 105 milionë euro.

Mesfushori francez përfiton te “Djajtë e kuq” një pagë prej 200 mijë eurosh në javë dhe do të marrë një bonus vjetor prej 4 milionë eurosh, duke nisur nga sezoni i ardhshëm.

Nëse Manchester United do të fitojë Europa League, atëherë paga e tij do të rritet në 240 mijë euro në javë. Për më tepër, Pogba do të përfitojë edhe 300 mijë euro të tjera në vit nga të drejtat e imazhit.

Në libër flitet padyshim edhe për Zlatan Ibrahimoviç, i cili rezulton të jetë futbollisti më i paguar në Premier League, pasi përfiton 435 mijë euro në javë. Por jo vetëm kaq. Ibra e ka arritur tashmë kuotën e përcaktuar të golave, për të fituar bonusin prej 3.3 milionë eurosh.

Për sa i përket rinovimit automatik të kontratës, suedezit i duhen edhe 4 ndeshje në Premier League, por këto ai nuk do t’i zhvillojë për shkak të dëmtimit të rëndë në gju, të pësuar në ndeshjen ndaj Anderlecht në Europa League.

Top Channel