Programi i PS: 220 mijë vende të reja pune

09/05/2017 00:00

220 mijë vende të reja pune për 4 vitet e ardhshme, zbatim I reformës në drejtësi, rritje e pagave, rritje e konkurrueshmërisë në turizëm dhe rritje e investimeve të huaja.

Më shumë investime në arsim, shëndetësi dhe dyfishim të buxhetit për ndihmën ekonomike. Ministrat e qeverisë Rama prezantuan në Kongresin e PS programin 100 faqësh të socialistëve për mandatin e dytë qeverisës.

Arben Ahmetaj, ministër i Financave: Ne garantojmë në mandatin tonë të dytë rritje prej 5.5% të PPB. Në fund të mandatit të dytë investimet e huaja do të shkojnë në 2 mld dollar. ne garantojmë në mandatin e dytë ulje të borxhit public, kësaj gangrene në kurriz të qytetarëve, nën 60% të PPB. Ne garantojmë 220 mijë vende të reja pune dhe do të ulim për herë të parë papunësinë në nivelin një shifror.

 Milva Ekonomi, ministre e Ekonomisë: Do të nxisim formalizimin e sektorit të turizmit dhe do ta bëjmë të konkurrueshëm e do të shtojmë numrin e investitorëve të huaj. Kemi mbajtur dhe do të mbajmë premtimin 1 euro për bizneset. Investimet e huaja u rritën me 9%, mandatin tjetër synojmë dyfishim të tyre dhe do të mbështesim teknologjinë e informacionit për modernizimin e bizneseve”

Ogerta Manastirliu: Në mandatim e dytë do të rrisim financimet për shërbimet shëndetësore falas. Program I ri garanton që cdo shqiptar të marrë shërbim në kohë dhe cilësi. Do të ndërtojmë një qendër të re spitalore, 10 qëndra të reja shëndetësore, do ndërtojmë një spital të ri për kirurgjinë dhe një për sëmundjet e brendshme”

Olta Xhaçka, ministre e Mirëqenies Sociale: Prioriteti ynë për 4 vitet e ardhshme do të jenë të rinjtë, do të nxisim punësimin e tyre. 100% e fëmijëve romë dhe egjiptianë do të arsimohen. Alternative jonë për strehimin do të shkojë në ndihmë të sa më shumë familjeve në nevojë.

Për PS, ndërtimi i Shqipërisë fillon nga reforma në drejtësi, për krijimin e një shteti të së drejtës dhe të ligjshëm, me shanse të barabarta në ekonomi dhe për familjet në nevojë.

Top Channel