“Countdown” i Xhaferit, Ivanovit i mbeten edhe 9 ditë kohë

09/04/2017 00:00

Talat Xhaferi është zyrtarisht kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, gjë që nënkupton fillimin e numërimit së prapthi të afatit 10-ditor për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re.

Ditë më parë, Talat Xhaferi e kishte njoftuar me shkrim presidentin Gjorge Ivanov mbi krijimin e shumicës së re parlamentare të vendit. Nga kabineti i presidentit theksohet se Ivanov do të veprojë konform Kushtetutës dhe praktikës së vendosur.

Ekspertët janë optimistë se ekzekutivi i ri i Maqedonisë do të formohet shumë shpejt, e presin që kreu i shtetit t’ia dorëzojë mandatin udhëheqësit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Në të kundërt, shumica parlamentare do ta zgjedhë vet Qeverinë. Sipas “BIRN”, episodi i dhunës në Parlamentin maqedonas e tronditi thellë komunitetin shqiptar në vend dhe i forcoi njëkohësisht bindjen se, një qeveri me Zoran Zaevin në krye do të jetë shpresa më e mirë për të.

Opinionistët mendojnë se, një pjesë e mbështetjes së shqiptarëve për kreun e LSDM-së buron nga pakënaqësia e thellë e tyre me nacionalizmin, etnikisht përjashtues, të Nikola Gruevskit.

Sondazhi i fundit i publikuar në muajin shkurt (realizuar nga ‘Telma TV’ dhe dhe agjencia ‘M Prospect’), tregoi rritje në trendin e kësaj mbështetjeje, duke e vendosur për të parën herë në historinë e vendit LSDM-në përpara partive etnike shqiptare.

Në anketim, 20% e shqiptarëve përkrahnin socialdemokratët, 15% lëvizjen Besa, 14% BDI-në, 10% PDSH-në dhe 6% Aleancën për shqiptarët.

Top Channel