Paralajmërimi i Obamës: Mos emëro gjeneralin Flynn

08/05/2017 00:00

Presidenti amerikan Barak Obama paralajmëroi presidentin Donald Trump nëntorin e shkuar që të mos punësonte Lejtnant Gjeneral Michael Flynn si këshilltar të Sigurisë Kombëtare.

Sipas CNN, e cila bazon raportimin e tij në komentet e ish zyrtarëve të administratës Obama, ky i fundi e paralajmëroi Trumpin gjatë takimin në zyrën ovale më 10 nëntor, disa ditë pasi trump kishte fituar zgjedhjet. Burimet e CNN thonë se shqetësimet e Obamës, nuk kishin të bënin me shkarkimin e Flynn nga agjensia e Inteligjencës së Mbrojtjes, por me hetimin që po kryhej për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s.

Zyrtarë të administratës së shkuar thanë se emri i Flynn vazhdonte të shfaqej gjatë bisedës së Obamës me Trump. Por miliarderi i shndërruar në president nuk dëgjoi këshillën e Obamës dhe punësoi Flynn si këshilltar të sigurisë kombëtare, për ta shkarkuar vetëm 24 ditë më vonë kur u mor vesh se ai ishte takuar me ambasadorin rus në SHBA Sergey Kislyak.

Komitetet e inteligjencës së Senatit dhe dhomës së Përfaqësuesve vazhdojnë që të hetojnë ndërhyrjen ruse në zgjedhje, përfshirë koordinimin e mundshëm mes zyrtarëve rusë dhe fushatës Trump, apo njerëzve pranë fushatës.

Gjenerali Flynn është emri më i lakuar në hetim dhe fakti që ai kërkoi imunitet nga paditja në këmbim të dëshmisë së tij, nuk krijon idenë se është i pafajshëm. Flynn dhe vendimi i gabuar për ta punësuar vazhdon të jetë një gjemb në brinjë për Trump, megjithëse presidentit është përpjekur t’ia faturojë gabimin administratës së shkuar që i kishte dhënë leje sigurie të lartë ish gjeneralit duke treguar besim tek ai.

Top Channel