Sfidat e Emmanuel Macron, e vështira vjen tani

08/05/2017 00:00

Emmanuel Macron hodhi këtë të hënë hapat e parë si president i zgjedhur i Francës, por në vazhdim rrugëtimi i tij do të jetë më i vështirë.

Së pari, ai do të përballet me detyrën e vështirë të ngritjes së një ekipi që mund të qeverisë në mënyrë efikase. Partia e tij ka njoftuar se do të ndryshojë emrin nga “En Marche” në “Republique en Marche”, ose një Republikë në Lëvizje.

Subjektit në fjalë do t’i duhet të zgjedhë pa u vonuar kandidatët, përpara zgjedhjeve parlamentare që mbahen më 11 dhe 18 qershor. Bëhet fjalë për një sfidë të rëndësishme për partinë që synon të bëhet forca e parë, por që aktualisht nuk ka asnjë ulëse në Parlament.

Gjithashtu, Macron trashëgon një nga postet më të fuqishme në Europë dhe të gjitha simbolikat që vijnë bashkë me të. Por problemet më akute duket se do të jenë tek qeverisja e Macron.

Ai përballet me dy probleme të rëndësishme: mungesën e përfaqësimit politik dhe një vend thellësisht të përçarë.

Përveç se është 39 vjeç, presidenti më i ri në moshë, Macron është gjithashtu i pari që ka dalë në skenë nga jashtë prej radhëve të dy partive kryesore që prej themelimit të republikës moderne në vitin 1958.

Edhe pse gëzon mbështetje nga estabilishmentet politike socialiste dhe republikane, pjesa dërrmuese e kësaj mbështetjeje ka ardhur nga nevoja e tyre për të mundur rivalen e tij Marine Le Pen.

Republikanët konservatorë në veçanti do të kërkojnë të shfaqin forcën e tyre në zgjedhjet parlamentare. Sondazhet e publikuara pak pas fitores së Macron sugjerojnë se aleatët e tij në partinë e qendrës në zgjedhjet e 11 qershorit do të sigurojnë 24 deri në 26 për qind të votave.

Si republikanët, ashtu edhe Fronti Kombëtar do të kenë rreth 22 për qind, ekstremistët e majtë 13-15% dhe socialistët, të ndëshkuar nga rënia e popullaritetit të Francois Hollande, 9 për qind.

Top Channel