Gjermani, refugjatët po konvertohen nga myslimanë në të krishterë

08/05/2017 00:00

Mijëra refugjatë në Gjermani janë konvertuar nga feja Islame në atë të krishterë, pavarësisht rrezikut që bart për ta një veprim i tillë.

“Deutsche Welle” citon rastin e Gottfried Martens, pastor i Kishës së Shën Triadhës, një kishë e pavarur evangjeliste-luterane në Berlin, i cili rrëfen sesi fillimisht në vitin 2008 ia kanë kërkuar një gjë të tillë dy refugjatë nga Irani.

Në rrjedhën e viteve, numri i atyre që afroheshin me dëshirë për të ndryshuar fe erdhi në rritje, e sot, kisha e tij ka qindra besimtarë që ndjekin meshën në gjermanisht e persisht.

Përgjithësisht, të konvertuarit aty janë gjermanë dhe iranianë. Disa prej tyre janë refugjatë që sapo kanë ardhur, e që janë ftuar nga të krishterë të tjerë në Gjermani, por ka “edhe mjaft të tjerë, të cilët kanë pasur kontakte më parë me fenë e krishterë në vendet ku jetonin”.

Dyndja më e madhe e konvertimeve, sidoqoftë shënohet pas mbylljes së itinerarit ballkanik, gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015 e 2016. “Asokohe kemi pasur deri në 250 vetë në kurset përgatitore të Kishës së Trinitetit”, thotë pastori.

Edhe kishat e tjera, si ajo evangjeliste e landeve dhe kisha katolike, shënojnë rritje të numrit të pagëzimeve, megjithëse konvertimet nuk kalohen nëpër regjistra. Një vendim i tillë nuk vjen pa pasoja për besimtarët, që ekspozohen kështu ndaj qëndrimeve armiqësore të ndjekësve të besimit të mëparshëm.

Në vendet e origjinës, si Irani apo Afganistani, ata i pret përndjekja, e mbase edhe vdekja, ndërsa në Gjermani ka rregullisht raportime për sulme ndaj të konvertuarve.

Top Channel