Euro “merr frymë” pas fitores së Macron

08/05/2017 00:00

Tregjet e aksioneve kanë marrë frymë lirisht pas lajmit të fitores së kandidatit liberal francez, Emmanuel Macron. Euro mbërriti nivelin e tij më të lartë të 6 muajve të fundit, kundrejt monedhës së gjelbërt, duke u kuotuar në nivelin e 1.10 dollarëve në çeljen e bursave aziatike, për t’u tërhequr pastaj përsëri në 1.095.

Indeksi “CAC 40” i Bursës në Paris ishte rritur me mbi 6%, që kur Macron triumfoi në raundin e parë. Megjithatë, pas spostimit të fokusit nga një fitore e parashikuar te sfidat me të cilat përballet axhenda e reformave të 39-vjeçarit, treguesi pësoi një tkurrje të lehtë me 0.6%.

Shumica e rrezikut për çmimin e bonove qeveritare franceze ishte davaritur që me humbjen e Marine Le Penit më 23 prill.

Investitoret i druheshin një fitoreje të populistëve. Në sytë e tyre, thjesht fakti që Marine Le Pen nuk iu afrua dot pallatit “Elize”, do ta reduktojë në përgjithësi atë që perceptohej si rrezik politik në Europë.

Analistët parashikojnë që ulja e një risku të tillë, pikërisht në kohën kur fitimet e kompanive janë në përmirësim në periudhën afatmesme, mund të tërheqë një valë të re investimesh në aksionet europiane.

Javën e kaluar, vetëm shpresat e një fitoreje të Macronit mjaftuan që “CAC 40” të mbërrinte nivelin e tij më të lartë të 9 viteve të fundit.

Top Channel