Do të diskutohej Demarkacioni, Mustafa “bojkoton” qeverinë

08/05/2017 00:00

Kosova ka hyrë në një javë që po shihet si përcaktuese për të ardhmen e ekzekutivit të saj. Mbledhja e sotme e tij, ku pritej të dërgohej për miratim në Kuvend projektligji i Demarkacionit, u shty për të mërkurën, dita kur është caktuar edhe seanca e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Në një deklaratë për shtyp sqarohet se, pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u vendos shtyrja e mbledhjes që do të shqyrtojë draftin e ratifikimit të marrëveshjes së kufirit shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Zhvillimet e sotme u paraprinë edhe nga kritika të tërthorta ndërmjet partive të koalicionit qeverisës për mungesë rezultatesh. Kryeministri Isa Mustafa, njëherazi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deklaroi gjatë fundjavës se partia e tij nuk frikësohet nga vota e qytetarëve. Shtatorin e vitit të kaluar, Mustafa e pati tërhequr projektligjin e Demarkacionit për mungesë votash.

Top Channel