Ndali populistët, Macron: Do të luftoj forcat e përçarjes

08/05/2017 00:00

Gert Wilders në Holandë iu afrua fitores më shumë se çdo herë tjetër, por nuk e arriti dot. UKIP e mori atë që deshi, megjithatë, një vit pas “Brexit”, në zgjedhjet lokale britanike pësoi një disfatë që e nxori nga lista e partive të rëndësishme.

Me humbjen e thellë të Marine Le Pen, francezët ia ndërprenë hovin populizmit, që ka lënë pa gjumë udhëheqësit e kontinentit të vjetër.

Në moshën 39-vjeçare, Emmanuel Macron bëhet presidenti më i ri i vendit pas triumfit me 66.06% të votave, kundrejt 33.94% që siguroi rivalja e tij e madhe në raundin e dytë të presidencialeve franceze, të mbajtur të dielën.

Macron do të jetë po kështu i pari kryetar shteti jashtë dy partive të mëdha tradicionale, që prej themelimit të republikës moderne franceze në vitin 1958.

“Në historinë e Francës po hapet në këtë mënyrë një kapitull i ri. Dhe unë dua që ai të jetë një kapitull shprese dhe ripërtëritjeje të besimit. E kam dëgjuar zemërimin, ankthin dhe dyshimin e shprehur nga shumë prej jush, e zotohem të luftoj përgjatë 5 viteve në këtë post, forcat e përçarjes që minojnë Francën”, tha Macron.

Macron premtoi më tej të garantojë unitetin e kombit, e në të njëjtën kohë do të përkrahë dhe mbrojë Europën.

Mijëra mbështetës të politikanit 39-vjeçar u mblodhën përpara muzeut të Luvrit për të festuar triumfin e tij. Turmës iu bashkua më vonë edhe presidenti i ri. Le Pen, nga ana tjetër, falënderoi në fjalimin e saj 11 milionë francezët që i dhanë votën e tyre, e tha se dita e dielë tregoi qartë ndarjen e thellë mes “patriotëve” dhe “globalistëve”.

Pavarësisht humbjes, ajo u shfaq e vendosur për ta rilançuar “Frontin Nacional”. Fitorja e Macron ka ngjallur reagime në mbarë globin. Zgjedhja e tij në krye të Elizesë është përshëndetur që nga Donald Trump, Theresa May, Martin Schulz, Petro Poroshenko, Matteo Renzi, Enrique Pena Nieto, Justin Trudeau e deri te presidenti kinez Xi Jingping dhe kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.

Top Channel