Messi, pranë rinovimit me Barcelonën

08/05/2017 00:00

Lionel Messi do të rinovojë kontratën me Barcelonën. Ky është lajmi që ka zënë faqet e para të medias katalanase, sipas së cilës, bisedimet mes drejtuesve të Barcelonës dhe babait e njëkohësisht agjentit të futbollistit, Jorge Messi, kanë përparuar ndjeshëm.

Kontaktet e para mes palëve janë vendosur në janar dhe tani, pas 4 muajsh, gjërat duket se kanë marrë drejtimin e duhur, gjë që e konfirmoi edhe vet zv.presidenti i Barcelonës, Jordi Mestre, pas përfundimit të ndeshjes me Villarrealin.

Sipas medias në Katalunjë, të dyja palët kanë preferuar të punojnë në heshtje në lidhje me këtë çështje, pa dhënë shumë detaje, edhe pse hipotezat nuk kanë munguar.

Kontrata aktuale e Messit me kampionët e Spanjës skadon në verën e vitit 2018 dhe ajo do të zgjatet deri në vitin 2022. Ajo që mbetet për t’u përcaktuar është koha se kur do të zyrtarizohet lajmi i rinovimit të 29-vjeçarit.

Mësohet se klubi ia ka lënë në dorë vet Lionel Messit afatin për hedhjen e firmës, me argjentinasin që duket se preferon rë prononcohet në fund të sezonit, ndërkohë që gjithçka do të vuloset në prag të sezonit të ardhshëm.

Top Channel