Dzeko rikthen Romën në vend të dytë

07/05/2017 00:00

Roma ka arritur të mposhtë pa vështirësi Milanin, në ndeshjen e fundit të javës së 35-të dhe të rikthehet në vendin e dytë. verdhekuqtë triumfuan në “San Siro”, me rezultatin 1-4, ku protagonist ishte sulmuesi shtatlartë Edin Dzeko.

Boshnjaku shënoi një dopietë në pjesën e parë dhe asistoi golin e tretë të shënuar nga El Shaaraëy, dy minuta pasi Milani kishte ngushtuar diferencën me anë të Pasaliç. Daniele De Rossi vulosi rezultatin final 1-4, me një penallti të shndërruar në gol, në minutën e 87.

Me këtë tre pikësh, Roma rikthehet sërish në vendin e dytë të renditjes, pozicion që e ka ruajtur thuajse gjatë gjithë sezonit. Javën e ardhshme, verdhekuqtë do të presin Juventusin në “Olimpico”, takim në të cilin bardhezinjtë mund të shpallen matematikisht kampionë, nëse marin qoftë edhe një pikë.

Nga ana tjetër, Milani vazhdon të ruajë vendin e gjashtë, që e dërgon në Europa League, sepse, mesa duket, Interi dhe Fiorentina nuk kanë ndërmend ta kalojnë.

Top Channel