Derbi i racizmit

07/05/2017 00:00

Si të mos mjaftonin polemikat në fushë me trajnerin Sinisa Mihajlovic, i cili ishte autor i një agresioni verbal ndaj arbitrave dhe akuzoi për falsifikim derbin ndaj Juventusit, fundi i sfidës në Torino pati gjithashtu episode racizmi që do të analizohen nga organet kompetente.

“Zonja e Vjetër” barazoi në fund ndaj rivalëve “granata”, në një 90-minutësh emocionues, por, përveç rezultatit, po bëjnë bujë dhe akuzat që nuk kanë lidhje me topin.

Mbrojtësi i bardhezinjve Mehdi Benatia u prezantua në mikrofonat e televizionit RAI për të komentuar lojën, por papritmas dëgjoi një ofendim të rëndë në kufje, për shkak të vendlindjes së tij (Marok). Futbollisti kërkoi shpjegime për ofendimin, por prezantuesja Sabrina Gandolfi provoi të justifikohej me interferencat, që gjithsesi nuk fshehën episodin racist.

Edhe trajneri i Torinos, Sinisha Mihajlovic akuzoi për fyerje me bazë etnike në fundin e derbit të barazuar 1-1 ndaj Juventusit. Sipas teknikut serb, koret e shëmtuara erdhën nga mbështetës të kampionëve.

“Flasim shumë në futbollin italian për racizëm, por nuk ka më vetëm fyerje mbi bazën e lëkurës”, tha trajneri ballkanas.

Top Channel