Vrasja e Hazbi Idrizit, kryetarit të Komunes së Bogovinës në Tetovë të Maqedonisë, duket se është kryer për motive të dobta nga një ish-vartës i tij.

Policia maqedonase konfirmoi se 58-vjeçari Idrizi u qëllua për vdekje pas një zënke verbale, e cila u përshkallëzua deri në nxjerrjen e armës.

Mediat vendase raportojnë se vrasësi i Idrizit është 53-vjecari Qani Abazi, i cili pas vrasjes drejtoi armën nga vetja duke u vetvrarë.

Hazbi Idrizi ishte kryetar i komunës nga radhët e BDI-së, e cila shprehu tronditjen e saj për këtë ngjarje fatkeqe. Por mësohet se edhe vrasësi Abazi kishte qenë më parë anëtar i BDI-së.

Ai punonte dikur si arkitekt në Komunë, por u shkarkua me urdhër të Idrizit. Mediat vendase, bazuar në dëshmitë e banorëve të zonës shkruajnë se raportet mes Abazit dhe Idrizit ishin mjaft të rënduara.

Duket se zgjatja tej mase e procesit gjyqësor për largimin nga puna dhe situata e rëndë ekonomike e Abazit për shkak të papunësisë së gjatë kanë bërë që ai të ndërmarrë gjestin ekstrem dhe të zbrazë 6 plumba ndaj kreut të komunës.

Top Channel