Nishani dekoron me “Nderin e Kombit” Himarën

06/05/2017 00:00

Presidenti Bujar Nishani ishte sot në Himarë, ku nderoi  krahinën me dekoratën “Nderi i Kombit”. Dekorata iu dorezua kryetarit të bashkisë së Himarës në një aktivitet të zhvilluar në qytetin bregdetar.

Motivacioni që e shoqëron këtë dekoratë është “Për kontributin e shquar në historinë e luftërave të kombit tonë për liri dhe emancipim shoqëror, për traditën e lavdishme, të karakterizuar ndër shekuj nga bujaria dhe besa. Bijtë e saj, me pushkë e penë, kanë ditur të shkruajnë faqe të lavdishme në identitetin tonë kombëtar, dhe të shpalosin vlera të rralla etnofolklorike kulturore”. 

Gjithashtu, presidenti Nishani i ka dhënë titullin “Naim Frashëri”, ansamblit artistik “Bejke e Bardhë” të Pilurit si dhe grupin karakteristik të Himarës.

Ky titull u dha për ruajtjen e traditës, riteve dhe kostumeve popullore dhe interpretimin e valleve, melodive  të zonës.

Me titujt “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” dhe “Mjeshtër i Madh”, presidenti Nishani ka nderuar figura të shquara të zonës së Himares si  Lefter Çipa, ndërsa pas vdekjes u nderuan Neço Muka, Odhise Kasneci,  Koço Çakali dhe Dhamiano Bollano.

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Nishani ka vlerësuar cilësitë mjaft të vyera të njerëzve të zonës së Himarës, si trimërine, kulturën dhe dashurinë e paepur për arsimin.

Top Channel