Moggi ndjek Partizanin: Fati ishte me Kukësin

06/05/2017 00:00

Në përballjen me Kukësin, në tribunën e “Selman Stermasit” ndodhej edhe “blerja” më e fundit e Partizanit.

Në cilësinë e këshilltarit të klubit për 3 vitet e ardhshme, Luciano Moggi ndoqi nga afër takimin e përfunduar në barazim 1-1.

Në fund, ai tha për Top Channel se fati nuk ishte me Partizanin.

“M’u duk sikur Partizani meritonte të fitonte, por për fat të keq, kur nuk hyn topi në rrjetë nuk ke çfarë t’i bësh. Ndeshjen e bëri Partizani dhe rivalët vetëm u mbrojtën. Shënuan një gol me shumë fat”, deklaroi Moggi.

Ndërkohë, edhe dy presidentët komentuan ndeshjen. Gazment Demi tha se i pëlqeu loja e zhvilluar nga skuadra e tij, megjithëse jo rezultati, ndërsa Safet Gjici krahasoi rrugëtimin e Kukësit drejt titullit të parë me rrugën drejt qytetit veri-lindor.

“Nuk ka mbaruar ende asgjë. Matematika nuk na ka bërë ende kampion, por besoj që e kemi kaluar atë tunelin dhe jemi shumë afër Kukësit”, u shpreh ai.

Top Channel