Polonia si Turqia, presidenti kërkon fuqizimin; opozita e shqetësuar

06/05/2017 00:00

Presidenti polak Andrzej Duda kërkon debat kushtetues dhe rishikimin e dokumentit themeltar të vendit, duke ngjallur frikën e opozitës nga vendosja e një sistemi autoritar.

Me pretendimin e ndryshimit të sistemit politik, Duda ka habitur edhe vetë mbështetësit e tij, të cilët e shihnin si krejtësisht të varur nga mentori i vetë politik, Jaroslaw Kaczynski.

44-vjeçarin e propozoi në krye të shtetit pikërisht kryetari i Partisë qeveritare Nacional-Konservatore. Që prej zgjedhjes president majin e 2015-s, Duda nuk ishte shquar për ndonje iniciativë vetjake madhore.

Tani, ai këmbëngul se qytetarët duhet të shprehen “nëse janë të kënaqur me sistemin aktual politik e nëse ka nevojë për ndryshime”. “Polonia duhet të jetë një shtet ku të mos lejohet një “kastë” e privilegjuar qytetarësh”, deklaroi ai.

Ndërkohë, opozita shprehet e shqetësuar dhe ka tërhequr vëmendjen tek kufizimi i ndarjes së pushteteve dhe për mënyrën e veprimit të qeverisë kundër Gjykatës Kushtetuese.

Sipas saj, një projekt-kushtetutë si ajo, e prezantuar kohë më parë prej partisë së Kazinskit, ku lihej e hapur mundësia e forcimit të pozitave të presidentit, do të sillte fundin e shtetit demokratik dhe laik.

Një tjetër vend anëtar i Bashkimit Europian, Kroacia, sapo kaloi një moment të vështirë të qeverisjes. Unioni Demokratik Kroat, HDZ, arriti ta ruajë pushtetin pasi e provoi se e gëzon ende mazhorancën parlamentare, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme në muajin qershor.

Përmes zgjedhjes së një anëtari të tij si kryetar i ri Parlamentit, HDZ-ja tregoi se vazhdon ta ketë të sigurtë shumicën pas seancës së trazuar të ditës së enjte, kur ministri i saj i Financave me shumë vështirësi arriti t’i mbijetonte një vote mosbesimi.

Top Channel