Ajsberg për t’u furnizuar me ujë

06/05/2017 00:00

Natyrën e ka të bekuar me pasuri të mëdha nëntokësore, por në sipërfaqen e saj, uji i rrjedhshëm dhe i pijshëm është thuajse zero.

E për këtë arsye, me kalimin e viteve sfida më e madhe e Emirateve të Bashkuara Arabe është furnizimi i 1 milionë banorëve të saj me ujë të rrjedhshëm e të pijshëm.

Projektet për të shuar etjen e arabëve të emirateve janë nga më të ndryshmit dhe nga më të çuditshmit, si ai i propozuar nga një kompani vendase për të tërhequr zvarrë një ajsberg nga Antarktida.

Bëhet fjalë për kapjen e bllokut masiv të akullit dhe rimorkimin e tij nëpër anije që do ta transportojnë atë për mbi 8800 kilometra përmes Oqeanit Indian për ta dërguar në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Hartuesit e projektit kanë menduar edhe detajet. Ata thonë se duke qenë se pjesa më e madhe e ajsbergut është nën ujë, ai nuk do të shkrihet, ndërsa bardhësia në sipëfaqje përthyen rrezet e diellit dhe shmang shkrirjen.

Për të pritur bllokun e akullt, në brigjet e Emirateve do të ndërtohen disa platforma për shkrirjen e tij dhe transportin përmes tubacioneve në rrjetin vendas të ujësjellësit.

Hartuesit e projektit thonë se uji i përftuar në këtë mënyrë është më i pastri i mundshëm që mund të gjendet në tokë dhe shpresojnë që kjo ide, nëse realizohet, të mund të ndikojë edhe në përmirësimin e klimës, ndoshta duke nxitur reshje më të shpeshta shiu.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel