Vlora bëhet qendra e parashutistëve të të gjithë botës. Në qytetin bregdetar ka nisur tashmë kampionati botëror i Fluturimeve të Lira, një eveniment që ndodh për herë të parë në vendin tonë dhe që vjen në prag të çeljes së sezonit turistik.

Edhe pse nuk e kishte pasur kurrë më parë këtë mundësi, Shqipëria arriti të fitojë të drejtën e organizimit të këtij kampionati Botëror pasi mundi kandidaturat e Kinës dhe të Gjermanisë.

Në këtë ngjarje sportive ku mbizotërojnë adrenalina, emocionet, por edhe spektakli, marrin  pjesë 150 pilotë që vijnë nga shumë vende të botës, ku padyshim Shqipëria por edhe Kosova kishin përfaqësuesit e tyre.

Të ftuar specialë në këtë aktivitet ishin austriakët, Marko Valtenshpil dhe Marco Fyrst, të cilët u hodhën me parashutë nga një lartësi prej 1500 m duke valëvitur flamurin me ngjyrën blu të kampionatit dhe atë kuqezi të Shqipërisë duke dhuruar spektaklin e tyre në qytetin bregdetar të Vlorës.

Në këtë eveniment garohet në disiplinën e Preçizionit si në kategorinë individuale ashtu dhe në atë ekipor. Bregdeti mahnitës i Vlorës do të jetë i pushtuar nga aventurierët e ajrit të ardhur nga mbarë bota deri në datën 14 maj kur kampionati botëror i Fluturimeve të Lira do të ulë siparin e tij.

Top Channel