Hoxhaj takon Kotzias. I kërkon Greqisë njohjen e Kosovës

05/05/2017 00:00

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj u prit në Athinë nga homologu i tij grek, Nikos Kotzias.

Megjithëse mungonte flamuri i Kosovës në sfondin e dy ministrave të Jashtëm, për shkak se Athina ende nuk e ka njohur Kosovën, ministri Hoxhaj u shpreh i kënaqur nga ecuria e marrëdhënieve dypalëshe.

I pyetur nga Top Channel lidhur me rezultatet e vizitës së tij në Athinë, Hoxha tha se marrëdhëniet mes Athinës dhe Prishtinës janë tepër të mira.

Athina – tha ai, – ka mbështetur vendin tonë në të gjitha fazat, veçanërisht në anëtarësimin në organizmat ndërkombëtare.

Sipas Hoxhajt, Prishtina pret që Greqia të marrë vendim për njohjen e Kosovës, por ky vendim i takon Athinës. Të dy ministrat shprehën nevojën që Ballkani Perëndimor të avancojë me procedurat integruese në Bashkimin Europian.

“Kosova, si një realitet tashmë në rajon, do të vazhdojë rrugën e saj europiane”, tha Hoxhaj.

Të dy ministrat u shprehën të shqetësuar për situatën në Shkup dhe ranë dakord se të dyja vendet respektive duhet të shtojnë përpjekjet për uljen e tensioneve dhe qetësimin e situatës atje.

Lidhur me situatën politike në Kosovë dhe mocionin ndaj qeverisë “Mustafa” në Parlament, Hoxhaj tha se është turp për Kuvendin e Kosovës, që prej pothuajse dy vite e gjysmë nuk mund të aprovojë një marrëveshje dypalëshe, e cila i hap rrugë heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

Top Channel