Media gjermane, dëmshpërblim Schumacherit për lajmin e rremë

05/05/2017 00:00

Revista gjermane “Bunte” do t’i paguajë 50 mijë euro dëmshpërblim familjes së Michael Schumacher, pasi “dhunoi” të drejtën e privatësisë, duke publikuar një lajm të pavërtetë në lidhje me shëndetin e 7 herë kampionit të botës në Formula 1.

Gjithçka ndodhi në dhjetor të vitit 2015, dy vite pas aksidentit të pësuar nga legjenda e këtij sporti në alpet franceze, kur “Bunte” publikoi artikullin ku theksonte se, Schumacher ishte në gjendje që të ecte dhe se kjo ishte më shumë se një mrekulli Krishtlindjeje.

Një lajm ky që u përgënjeshtrua në mënyrë kategorike nga agjentja e Schumacher, Sabine Kehm, që shkoi edhe më tej duke i cilësuar si të papërgjegjshëm pjesëtarët e stafit të kësaj reviste.

Michael Schumacher pësoi aksident në dhjetor të vitit 2013, teksa ishte me pushime me familjen e tij, kur mori një goditje të fortë në kokë. Në vitin 2014, ai u transferua nga Franca në një spital në Zvicër, e pak muaj më vonë u dërgua në shtëpi për të vijuar fazën e rehabilitimit.

Bashkëshortja e tij, Corinna ka ndërmarrë disa veprime ligjore në Gjermani ndaj medieve të ndryshme, për të ndaluar publikimin e fotove të ish-pilotit dhe pjesës tjetër të familjes.

Top Channel