Kina përuron avionin e parë për pasagjerë, prodhim vendas

05/05/2017 00:00

Avioni i parë i pasagjerëve në Kinë, i prodhuar në vend, ka bërë fluturimin e tij përurues, duke sfiduar seriozisht “Boeing”-un dhe “Airbus”-in.

Televizioni shtetëror kinez tregoi nisjen e tij në fluturim nga aeroporti “Pudong” në Shangai. Avioni është një simbol kyç i ambicieve të Pekinit për të hyrë në tregun global të aviacionit.

Avioni i prodhuar nga kompania shtetërore “Comac” është planifikuar që në vitin 2008, por fluturimet janë shtyrë në mënyrë të përsëritur. Për fluturimin përurues, në bordin e avionit ishin vetëm 5 pilotë dhe inxhinierë, ndërkohë që para nisjes së tij u zhvillua një ceremoni, në të cilën merrnin pjesë qindra drejtues shteti, punonjës të sektorit të aviacionit, e të tjerë.

Sipas televizionit shtetëror, avioni do të fluturonte vetëm në lartësinë e 3.000 metrave, rreth 7.000 metra nën lartësinë e një fluturimi të rregullt, dhe do të arrinte një shpejtësi prej 300 km në orë.

Avioni “C919” është projektuar për të konkurruar “Boeing 373” dhe “Airbus A320”. Përllogaritet se tregu i aviacionit global do të ketë një vlerë prej rreth dy trilionë dollarësh në 20 vitet e ardhshme.

Avioni kinez, sidoqoftë, varet nga një varg importesh teknologjike. Për shembull, ai ka motorë nga furnizuesi franko-amerikan “CFM International”. Janë porositur deri më tani më shumë se 500 avionë me angazhime nga 23 klientë, kryesisht kompani ajrore kineze. Klienti kryesor është “China Eastern Airlines”.

Rregullatori europian i Sigurisë Civile ka nisur procesin e certifikimit të avionit “C919”, një hap kryesor ky që e lejon avionin të jetë i suksesshëm në tregun ndërkombëtar. Kina ka ambicie të ndërtojë industrinë e saj të Aviacionit Civil që prej viteve 1970, kur gruaja e udhëheqësit të atëhershëm, Mao Zedong, personalisht kishte mbështetur një projekt.

Por avioni “Y10”, i ndërtuar në fund të viteve 1970, nuk ishte praktik për shkak të peshës së madhe të tij dhe vetëm 3 avionë të tillë u ndërtuan.

Top Channel