Sot, ndeshja e titullit

05/05/2017 00:00

Sot, në orën 19:00, në “Selman Stërmasi” luhet superndeshja mes Partizanit dhe Kukësit, që merr një rëndësi të madhe pasi në lojë është çështja e titullit kampion në Shqipëri.

Kur kanë mbetur edhe 5 javë nga fundi i kampionatit, Partizani dhe Kukësi janë në pikë të barabarta (65) dhe në të dy kampet kjo përballje konsiderohet si një finale e vërtetë.

Partizani nuk do të ketë në këtë ndeshje Krasniqin, i cili është i pezulluar për shkak të kartonave, ndërkohë që në dispozicion të trajnerin Starova do të jetë Mentor Mazrekaj. Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në seancën e fundit stërvitore, pasi stafi teknik i Të Kuqve preferoi ta lërë atë pushim.

Përsa i përket Kukësit, trajneri Ernest Gjoka duket se nuk ka asnjë problem dhe do të vijë në këtë sfidë me të gjithë futbollistët e tij. Për t’u theksuar është se supersfida mes Partizanit dhe Kukësit do të gjykohet nga slloveni Matej Jug, arbitër i FIFA-s, që ka gjykuar edhe sfida të klubeve si Monaco, Anderlecht apo Porto.

Ndërkaq, policia ka marrë masat e saj për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje, duke  angazhuar rreth 400 forca, një numër ky që është më i ulët në krahasim me ndeshjet derbi.

Top Channel