“Ushqimet nuk janë për t’u hedhur”

05/05/2017 00:00

Mijëra vetë u mblodhën në qendër të Los Angelesit për të shijuar festën e veçantë në ajër të hapur, ku shërbehen vakte të gatuara me ushqime të cilat duhet të ishin hedhur.

Një grup vullnetarësh shërbeu gjellën tradicionale meksikane “pozole”  të bërë me kërpudha, perime jeshile, domate dhe spec djegës, pjesa dërrmuese e të cilave, normalisht do të kishte përfunduar në plehra.

Gjella u shoqërua me kaleritos, një tip tortille prej lakre. Ferma “Alma Backyard” dhuroi 135 kg lakër të bardhë e të kuqe për këtë event. Bashkëpronarja e saj, Erika Cuellar tregon se perimet do te ishin hedhur nëse do të rrinin edhe ca.

“Do të shkonte dëm, ndaj i mblodhëm e i sollëm këtu, në mënyrë që të hyjnë në punë për diçka”, thotë Erika Cuellar, bashkëpronare e “Alma Backyard”.

Organizatorët thonë se qasja ndaj këtij lloj ushqimi po ndryshon.

“Mendoj se përpara 10 vjetësh, njerëzit i shihnin ushqimet e mbetura si të destinuara për në koshin e mbeturinave. Tani ata e kuptojnë se është për të ardhur keq që ushqime të cilat mund të jenë shumë të mira, mbeten stok nëpër ferma. Supermarketet e kanë shumë kollaj të thone: oh, konsumatorët nuk e duan këtë. Por nuk është ashtu. Ndërgjegjësimi po rritet si këtu në SHBA, ashtu edhe nëpër botë. Klientët kanë filluar ti kërkojnë nëpër dyqane edhe perimet apo frutat e shëmtuara, përderisa janë të mira”, thotë Dominika Jarosc, organizatore e eventit.

Statistikat tregojnë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkon dëm gati 40% e ushqimeve.

Top Channel