Zgjedhjet franceze, Barack Obama mbështet Macron

04/05/2017 00:00

Barack Obama bëri një ndërhyrje të minutës së fundit në zgjedhjet presidenciale franceze, në mbështetje të Emmanuel Macron, duke thënë se suksesi i Francës ka rëndësi për të gjithë botën.

Macron, kandidat i qendrës, përballet me Marine Le Penin e ekstremit të djathtë, në balotazhin presidencial të së dielës.

Sipas sondazheve, Macron është 20 pikë përpara Le Pen dhe debati televiziv i së mërkurës mes dy kandidatëve konfirmoi pikërisht këtë. Pavarësisht këtij avantazhi, Obama tha se zgjodhi të shfaqë mbështetjen e tij përmes një videoje, për shkak të rëndësisë së zgjedhjeve në Francë.

“Nuk planifikoj të përfshihem në shumë zgjedhje, tashmë që nuk kam pse kandidoj vet. Por zgjedhjet në Francë janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Francës dhe vlerat që ne çmojmë kaq shumë”, tha Barack Obama, ish-president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Obama tha se mbështet Emmanuel Macron, sepse ai u bën apel shpresave të njerëzve dhe jo frikës së tyre, ndërsa mesazhin e përfundoi në frëngjisht me fjalët “Vive La France”.

Pas publikimit të mesazhit të Obamës në faqen e “Tëitter”-it të Macron, ndihmësit e këtij të fundit thanë se ai ka bërë ankesë ligjore për shpifje ndaj rivales Le Pen, e cila gjatë debatit televiziv la të kuptohet se Macron kishte llogari bankare në ishujt Bahamas.

Top Channel