Revolucioni i Argjentinës së Sampaolit. Rikthehet Icardi?

04/05/2017 00:00

Në pritje të zyrtarizimit si trajneri i ri i kombëtares argjentinase të futbollit, Jorge Sampaoli ka nisur të mendojë hapat e parë të rinovimit të përfaqësueses që do të marrë në duar pas një muaji.

Problemet me shkëputjen nga kontrata me Sevilla do të marrin fund përmes pagesës së një grushti parash, e kështu argjentinasi do të finalizojë ëndrrën e drejtimit të përfaqësueses së vendlindjes, duke ndryshuar dhe shumë elementë.

Sampaoli ka disa lojtarë nën vëzhgim, por me ardhjen e tij, këtë verë pritet të përfshihet sërish në kombëtare Mauro Icardi, sulmuesi i Interit që deri më sot ka qenë i përjashtuar për çështje private dhe aspak me atë që ndodh në fushë. Presioni i fortë i mediave, që e kërkojnë rikthimin prej kohësh, do t’i lejojë kthimin te “Seleccion”.

Kështu Icardi, që akuzohet se i vodhi gruan dhe familjen sulmuesit Maxi Lopez, do të luajë me fanellën e Argjentinës, të cilën e ka provuar vetëm një herë. Ai luajti për 8 minuta në tetor të vitit 2013 ndaj Uruguajit. Por nuk është vetëm kjo risi potenciale nën drejtimin e Sampaolit.

Pritet të luajë gjithashtu në Argjentinën e ardhshme edhe Leandro Paredes, që do të rinovojë një mesfushë problematike dhe do të shtyjë në largimin e Biglia dhe Mascherano.

Të vëzhguar specialë, prej muajsh janë edhe Ansaldi që luan me Interin, dhe Gomez, protagonist absolut me Atalantën. Në kombëtaren e re nuk do të bëjnë pjesë Lavezzi, Otamendi apo dhe Sergio Aguero. Sidoqoftë, rinovimi i Argjentinës do të jetë gradual, i ndikuar edhe nga ndeshjet delikate që do të përcaktojnë kualifikimin në Botërorin “Rusi 2018”.

Top Channel