NBA, fitojnë Cleveland e San Antonio

04/05/2017 00:00

Cleveland Cavaliers vijon dominimin në gjysmëfinalen e Konferencës së Lindjes, në NBA.

Skuadra e Cavaliers fitoi ndeshjen e dytë ndaj Toronto Raptors në “Quicken Loans Arena” 125-103, për të marrë kryesimin 2-0 në përballjet me kanadezët. Skuadra nga Ohajo e vuri hegjemoninë e saj që në pjesën e parë, kur regjistroi rezultatet e pjesshme 12-0 dhe 19-9, për të mos u kthyer më pas. Madje, në periodën e katërt Cavaliers arriti të krijojë një diferencë deri në 29 pikë me Raptors, për të cilën 23 pikët e Valanciunas dhe 23 të Joseph nuk mjaftuan për të përballuar Cleveland.

Në krahun  tjetër, për kampionët në fuqi të NBA shkëlqeu i zakonshmi LeBron James me 39 pikë, i cili ngjitet në vendin e dytë të shënuesve më të mirë në historinë e NBA përsa i përket “playoff”-it, duke lënë pas Kareem Abdul Jabbar, ndërkohë që në krye qëndron Micheal Jordan.

Në Konferencën e Perëndimit, San Antonio Spurs u hakmor menjëherë ndaj Houston Rockets, duke fituar sfidën e dytë të gjysmëfinaleve me rezultatin 121-96, për të barazuar serinë e përballjeve në 1-1. Skuadra e Spurs zhvilloi një pjesë të parë mjaft të mirë, të cilën e mbylli me një avantazh prej 10 pikësh. Por, Houston reagoi në periodën e tretë dhe e shkurtoi ndjeshëm diferencën e krijuar. Fati i sfidës u vendos në 12 minutat e fundit, kur San Antonio regjistroi një rezultat të pjesshëm 30-5, që i hapi rrugën drejt suksesit në këtë derbi të dytë të Teksasit.

Leonard ishte në një ditë të shkëlqyer dhe e mbylli ndeshjen me 34 pikë, 7 topa në tabelë e 8 asist, ndërsa për Houston, Harden shënoi vetëm 13 pikë, por dha 10 asist e rrëmbeu 7 topa në tabelë.

Top Channel