PD-së iu dha zëvendësi i Ramës. Oferta: Zv.ministra dhe monitorim

04/05/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama tregoi këtë të enjte ofertën e tij për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ato janë caktimin e një zv.kryeministri dhe disa zv.ministrave dhe bashkë me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara do monitorojnë gjithë procesin për zgjedhjet.

Rama ofroi shtyrjen e zgjedhjeve deri më 16 korrik dhe i kërkoi Bashës që të vendosë vetë dhe mos dëgjojë më Berishën, duke lënë të nënkuptohet se oferta është ende e vlefshme.

“I kam propozuar një mekanizëm garancie të opozitës brenda qeverisë. Në Ministrinë e Brendshme një zv.ministër i propozuar nga PD të drejtojë procesin e monitorimit të sjelljes së Policisë së Shtetit. Një zv.drejtor i përgjithshëm i policisë dhe 12 zv.drejtorë në qarqe, të shoqëruar me një përfaqësues të misioneve të huaja. E njëjta gjë për arsimin, një zv.ministër jo anëtar partie, me monitoruesit e huaj dhe një përfaqësues qoftë të vetin, qoftë të të huajve në çdo drejtori rajonale. E njëjta gjë për burgjet, zv.ministër i propozuar nga PD për të ndjekur procesin zgjedhor në çdo burg të Shqipërisë, për të mos lejuar të bëhen votime si në kohën e Enver Hoxhës”, deklaroi Rama.

Rama ftoi opozitën të mos përsërisë më deklaratat se ai i ofroi më pak se ç’kishin, pasi sipas tij, “ideja që mund të luash bllofin me qëllim që të fitosh më shumë është punë kalamajsh”.

“Politika është shah, nuk është damë që luhet si poker. Nëse e luan politikën si damë dhe përdor metodën e pokerit, duke thirrur një bllof, duhet të marrësh përsipër koston që ka nëse bllofi zbulohet. Dhe kur plani zbulohet nga kundërshtarët, kundërshtari është mat. Kemi zbuluar plotësisht planin bllof të kundërshtarit”, tha Rama, sipas të cilit bllofi i Bashës është thirrja për qeveri teknike.

“Ekzakt. Ndaj ftoj Bashën të mos dëgjojë më Saliun, por të udhëheqë PD e të bëhet lideri që nuk është”, shtoi Rama.

Top Channel