Trump takon Abbas: Paqja? Do t’ia dalim mbanë

04/05/2017 00:00

Donald Trump është angazhuar se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë Izraelin dhe palestinezët që të mbërrijnë te paqja, duke i thënë udhëheqësit palestinez Mahmoud Abbas, i cili ishte në Shtëpinë e Bardhë, se “ne do t’ia dalim mbanë”.

Trump foli pasi priti Abbas në Shtëpinë e Bardhë, për një takim që kishte si qëllim rifillimin e bisedimeve, që kanë dështuar në mënyrë të përsëritur të zgjidhin konfliktin e zgjatur prej dekadash.

“Unë gjithnjë kam dëgjuar se marrëveshja më e vështirë për t’u arritur është ajo mes Izraelit dhe palestinezëve, – tha Trump. – Le të shohim nëse mund të provojmë se kjo është e gabuar. Ne do t’ia dalim mbanë”, këmbënguli ai.

Ndërsa presidenti i Autoritetit Palestinez i mbështeti deklaratat e Trump. “Ne besojmë se mund të jemi partnerë të vërtetë dhe të arrijmë një marrëveshje historike paqeje, nën udhëheqjen dhe kujdesin tuaj”.

Afro dy muaj e gjysmë pasi priti kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti Trump shtrëngoi duart edhe me Mahmoud Abbas në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, para se ta ftonte atë në Zyrën Ovale për bisedimet e tyre.

Përpjekja e hershme për të arritur paqen, që ka joshur presidentët amerikanë që nga vitet 1970, pati gjithsesi një fillim të vështirë në ditët e para të administratës “Trump”. Ky i fundit hoqi dorë nga mbështetja e një shteti palestinez dhe premtoi se do ta zhvendoste Ambasadën e SHBA-ve në Jeruzalem, duke shkelur kështu dy nga shtyllat e politikës amerikane që kanë dominuar për dekada të tëra.

Në të njëjtën kohë, Trump i ka kërkuar Izraelit të presë pak për ndërtimin e kolonive të reja në Bregun Perëndimor, një shqetësim i hershëm ky për palestinezët dhe pjesën më të madhe të botës.

Top Channel