Macron mund Le Pen, pas një debati të ashpër televiziv

04/05/2017 00:00

Anketuesit nuk kanë dyshime. Debatin përfundimtar televiziv mes dy kandidatëve për presidencën franceze e fitoi liberali Emmanuel Macron.

Në përballjen për çelësat e “Elizesë” u prekën tema si terrorizmi, ekonomia dhe Bashkimi Europian. Për mbi dy orë, kundërshtarët shkëmbyen fyerje mes tyre, por pëlqimin e publikut në fund, duket se e mori Macron, i cili është shfaqur shumë më bindës në thuajse të gjitha kategoritë.

Pas debatit, 63% e shikuesve u shprehën në favor të tij. Marine Le Pen e fshikulloi rivalin te mungesa e eksperiencës politike dhe formimi financiar, duke e cilësuar si kandidatin e globalizimit të egër. “Versioni yt i Francës, – i tha ajo, – është një dhomë tregtie, ku secili do të luftojë për veten”.

“Zgjedhja politike që duhet të bëjë populli francez është e qartë. Macron është kandidati i globalizmit të shfrenuar, i tjetërsimit të shoqërisë, i pasigurisë, i brutalitetit social, i luftës ‘të gjithë kundër të gjithëve’, i copëtimit të Francës nga interesat e mëdha financiare, e mbi të gjitha, pas tij qëndron zoti Hollande dhe kjo është fare e qartë”, tha Le Pen.

Macron u kundërpërgjigj duke thënë se udhëheqësja e “Frontit Nacional” gënjen haptazi, nuk propozon asgjë konkrete dhe fryn shqetësimet e publikut.

“Është e jashtëzakonshme që strategjia juaj, e cila sidoqoftë mbetet e parashikueshme, ka dekada që ndodh kështu: është e mbushur me gënjeshtra. Thoni që gjërat nuk funksionojnë në këtë vend, por nuk ofroni asgjë nga ana tjetër. Përpara meje është ulur priftëresha e lartë e frikës”, tha Emmanuel Macron.

Raundi i dytë dhe përfundimtar i zgjedhjeve presidenciale franceze mbahet të dielën, më 7 maj.

Top Channel