Trump për Duterten: Po bën një punë të mirë

03/05/2017 00:00

Donald Trump i ka thënë Rodrigo Duterte se ai po bën një punë të mirë pavarësisht se është në dijeni të luftës së kritikuar të presidentit të Filipineve ndaj drogës.

Ftesa e presidentit amerikan për Duterten në Shtëpinë e Bardhë, ka ndezur një varg kritikash në Uashington, për shkak të fushatës kundër drogës, që i ka marrë jetën mijëra njerëzve 10 muajt e fundit në Filipine.

Shtëpia e Bardhë e justifikoi ftesën e bërë gjatë një bisede telefonike të shtunën, duke pranuar se pavarësisht se të drejtat e njeriut janë një çështje e rëndësishme, Uashingtoni ka nevojë për aleatë në Azi, për t’i bërë ballë kërcënimit global që vjen nga Koreja e Veriut. Zëdhënësi i Dutertes tha ndërkohë se Trump është në dijeni të kritikave për Duterten, por e ka përgëzuar atë për punën që po bën. Nuk është e qartë nëse ai po citonte Trumpin që lëvdonte në mënyrë specifike fushatën antidrogë të Dutertes apo performancën e tij si president në tërësi.

“Jam i sigurt se ai është në dijeni të të gjitha konsideratave. Sidoqoftë, nga këndvështrimi i tij, duket se presidenti i Filipineve po bën një punë të mirë”, tha zëdhënësi.

Duterte është kritikuar gjerësisht nga perëndimi se ka dështuar të ndalë vrasjet dhe të reflektojë për akuzat e aktivistëve për vrasje sistematike, të mbështetura nga shteti, të përdoruesve dhe trafikantëve të drogës.

Sidoqoftë, Duterte ka marrë edhe lëvdata për drejtimin e një prej ekonomive që po rritet më shpejt dhe një axhendë politike të orientuar nga mbështetja e fermerëve dhe bizneseve të vogla, se po zhvillon infrastrukturën dhe po lufton varfërinë në një vend ku një e pesta e njerëzve jetojnë me më pak se 1 dollar në ditë.

Kritikët ndërkohë thonë se Trump ka shkuar larg me ftesën dhe se ajo mund të shihet edhe si një mbështetje për qëndrimin e ashpër të Dutertes ndaj rendit dhe ligjit. Duterte është i njohur edhe për gjuhën e tij të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara për atë që ai e quan një histori hipokrizie.

Javën e shkuar ai përdori një shprehje fyese për “New York Times” për një shkrim mbi fushatën e tij antidrogë. Sidoqoftë, zëdhënësi i Dutertes tha se presidenti e kishte marrë ftesën e Trump, por nuk e kishte pranuar atë.

Top Channel