Turneu i “Wimbledon”-it, fituesit do të përfitojnë nga 2.2 mln paund

03/05/2017 00:00

Emri Wimbledon është një motiv mëse i vlefshëm për tenistët më të mirë të botës, që të luftojnë fort për të fituar këtë turne legjendar.

Por këtij emri, po t’i shtojmë edhe përfitimin financiar të rritur, atëherë motivimi bëhet dyfish më i fortë.

E vërteta është se organizatorët kanë rritur vlerën e përgjithshme për tenistët pjesëmarrës, e sidomos për fituesit e saj.

Në total, ky shpërblim është përcaktuar 31.6 milionë paund, nga 28.1 milionë që ishte vitin e kaluar. Përsa u përket fituesve, si në kampin e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave, shpërblimi për kampionët e këtij turneu legjendar është 2.2 milionë paund.

Ata që duket se do të përfitojnë më shumë në këtë pikë janë ata që eliminohen që në raundin e parë, për të cilët ëshë përcaktuar vlera e 35 mijë paund, që është 17% më e lartë sesa vitin e kaluar.

“Ne jemi krenarë për rolin e rëndësishëm që ka Wimbledon në botën e tenisit, – tha kreu i Komitetit Organizativ të evenimentit, Philip Brook. – Ndaj ne do të vazdojmë të investojmë për të siguruar një të ardhme të ndritur të këtij evenimenti, por edhe tenisit në përgjithësi”.

Turneu i Wimbledonit, që është i treti turne “Grand Slam” i vitit, do të nisë më 3 korrik dhe do të përfundojë më 16 korrik.

Top Channel