Superiorja, afron “finalja” e sezonit Partizani-Kukësi

03/05/2017 00:00

Fundjava e Kategorisë Superiore do të nisë me supersfidën mes Partizanit dhe Kukësit, një përballlje kjo që mund të përcaktojë shumë në luftën për titullin kampion. Për trajnerin Ernest Gjoka, kjo ndeshje vjen në një moment delikat të sezonit, por skuadra e tij po përgatitet në mënyrë intensive.

“Është një ndeshje e vështirë që vjen në një moment kyç të sezonit, pasi do të përballen dy skuadra që kërkojnë titullin. Rëndësi për ne ka që të përgatisim këtë ndeshje me qetësi, pasi sa më të qetë të jemi në aspektin psikologjik, aq më të lehtë do ta kemi sfidën. Kjo ndeshje i ka të treja rezultatet brenda. Por ajo që ka më shumë rëndësi për ne është të dalim pa humbje”, tha Ernest Gjoka, trajner i Kukësit.

Nga ana tjetër, Partizani është izoluar nga mediet dhe trajneri Starova nuk lejon as të filmohen seancat e tij stërvitore në prag të kësaj ndeshjeje, gjë që nuk ka ndodhur as përpara derbit. Në heshtje për shtyp, veç trajnerit kanë qenë edhe lojtarët, ndërkohë që drejtori sportiv i “të kuqve”, Edmond Haxhija tregon atmosferën dhe arsyen e ngulmimit për arbitër të huaj.

“Kjo është vërtet një ndeshje e radhës, por shumë e rëndësishme, meqë sfidohen dy skuadrat e kreut. Ne do futemi për fitore, por na duhet edhe ndihma e Zotit dhe fati. Kemi kërkuar një treshe gjyqtarësh të huaj për të qenë një ndeshje sa më e ndershme, e kjo është në të mirë të kampionatit shqiptar”, tha Edmond Haxhija, drejtori sportiv i Partizanit.

Top Channel