Afganistan, sulmohet autokolona e NATO-s. 8 civilë të vrarë

03/05/2017 00:00

Një sulm kamikaz i ndërmarrë ndaj një autokolone që i përkiste misionit të NATO-s në Afganistan, ka shkaktuar të paktën 8 viktima në Kabul.

Të gjithë ata që kanë humbur jetën janë civilë, tha një burim qeveritar afgan. Të plagosur mbetën edhe 25 persona të tjerë, përfshi 3 nëpunës amerikanë.

Sulmi ndaj grupit të automjeteve ushtarake ndodhi shumë pranë Ambasadës së SHBA-ve, gjatë orëve të para të mëngjesit, dhe thuhet se pas tij qëndron Shteti Islamik.

Grupi xhihadist është i pranishëm në Afganistan që prej vitit 2015 dhe ka marrë përsipër një sërë sulmesh në vend gjatë kohëve të fundit.

Sipas asaj që raporton “AFP”, dy prej automjeteve janë shkatërruar plotësisht, ndërsa disa të tjera që kalonin aty pranë për momentin pësuan dëmtime. Pamjet nga vendngjarja tregojnë se xhamat e thyer kanë përfunduar disa qindra metra larg.

Autoblindat e personelit, të cilat faktikisht janë krijuar në mënyrë të tillë që t’u bëjnë ballë shpërthimeve të fuqishme, arritën që të ktheheshin në bazën e koalicionit, aty ku qëndron edhe misioni për Mbështetje të Vendosur i udhëhequr nga NATO.

Të plagosurit thuhet të jenë në gjendje të qëndrueshme dhe me plagë jo kërcënuese për jetën, ndërsa po trajtohen në mjediset spitalore të koalicionit ushtarak perëndimor.

Sulmi i sotëm vjen 3 javë pasi Shtetet e Bashkuara hodhën bombën më të madhe jobërthamore, të njohur edhe si “nëna e të gjitha bombave”, në një kompleks tunelesh të shfrytëzuara nga Shteti Islamik në Afganistan, e që sipas raportimeve la disa militantë të vdekur.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara janë duke diskutuar mbi mundësinë për të dërguar më shumë trupa në Afganistan, aty ku grupet e militantëve islamikë kanë kryer disa sulme vdekjeprurëse kohët e fundit.

Top Channel