“Acrush”, banda që po çmend kinezët

03/05/2017 00:00

Me flokët e prera shkurt, bluze të gjera e “make up” të thjeshtë, pamja e grupit muzikor androgjen “Acrush” bie ndesh me imazhin tradicional të femrës në Kinë.

Por vajzat, që duken si djem, kanë tërhequr mbi 750 mijë ndjekës në rrjetin social “Weibo”, që përpara se muzika e tyre të dilte në treg.

Drejtuesja e grupit, 21-vjeçarja Lu Keran nga provinca lindore e Xhiansusë, thotë se është ndierë gjithmonë rehat me veshjet “unisex”, edhe pse ndonjëherë vazhdon të sillet si femër.

“Kam edhe disa rroba rozë dhe them se kjo është e natyrshme. Por që të jem e sinqertë, më tërheqin shumë veshjet ‘unisex’, sepse ndihem më e lirshme me to. Aty nuk ka kufizime. Më pëlqen shumë”, tha Lu Keran, lidere e grupit “Acrush”.

Menaxheri Zhou Xiaobai shpjegon se shkronja “A” në emrin e grupit është një referencë ndaj hyut Adonis, i cili personifikonte në mitologjinë greke bukurinë mashkullore.

Njerëzit, – sipas tij, – duhet të shohin rininë, talentin dhe bukurinë tek “Acrush”, e jo ta mbërthejnë atë nën stampën e gjinisë.

Grupet muzikore të vajzave në Kinë, aktualisht po ndikohen shumë nga stili japonez dhe ai korean i muzikës Pop, ku mbizotëron imazhi i femrës së ëmbël apo sensuale. Kjo nuk është sidoqoftë, hera e parë që agjentët kinezë të muzikës zbulojnë talente, të cilat veprojnë si neutrale në raport me gjininë. Në vitin 2005 bëri bujë të madhe në vend këngëtarja Li Yuchun, e cila preferonte të dukej si djalë.

Top Channel