Milan, 120 mln për borxhet dhe 150 mln të tjera për merkaton

03/05/2017 00:00

Në pritje të ndryshimit të programit dhe objektivave të drejtuesve të rinj, në mënyrë që Milani të rikthehet në Champions duke nisur nga sezoni i ardhshëm, nga bilanci i kuqezinjve vijon të “rrjedhin” lotë dhe gjak.

Në këtë aspekt, pronarët e rinj kinezë kanë trashëguar një situatë tejet të rënduar, për të cilën duhet vënë dorë urgjentisht me një rritje kapitali, që do të duhet të mbushë deficitin me maturim më 31 dhjetor 2016. Borxhi aktualisht është 60 milionë euro, por në rast nevoje ekziston mundësia për të pasur në dispozicion edhe 60 milionë të tjera që mund të shfrytëzohen.

Por risia më e fundit gjatë asamblesë së ortakëve kuqezinj, që do të mblidhen në selinë “Casa Milan” mëngjesin e 18 majit dhe të premten e 19 majit, është se bordi drejtues do të ketë mundësinë e zgjedhjes për të çliruar rritje të mëtejshme kapitali, qoftë edhe me këste. Kjo, sepse Milani është një shoqëri tejet në nevojë për injektim parash dhe shumë larg të qenit me suficit. Jo rastësisht, në vitin 2014 bilanci u mbyll me një deficit prej 91.3 milionë eurosh, ndërsa në 2015-n me një minus prej 89.3 mln eurosh.

Rishikimi i llogarive është fundamental edhe për “marrëveshjen vullnetare” të kërkuar së fundi nga UEFA, që parashikon një kthim gradual nga humbjet përmes rritjes së të ardhurave që lejojnë kontrollin e shpenzimeve. Aktualisht, nga UEFA është siguruar “ok” për një plan trivjeçar investimesh.

Por nga axhenda e rendit të ditës së mbledhjes së aksionerëve është zbuluar edhe një tjetër risi, sa i përket periudhave të hartimit të bilancit. Nën drejtimin e Berlusconit ndiqej periudha vjetore që përfundonte më 31 dhjetor, sepse kështu e kërkonte ose përputhej edhe me “Fininvest”-in. Ndërsa tashmë do të ndiqet hartimi i bilancit sipas sezonit sportiv, me përfundim pikërisht 30 qershorin e secilit vit.

Tashmë klubi do të ketë edhe dy huadhënie të garantuara pas ndihmës së fondit “Elliott”, njëri prej 73 milionë eurosh i destinuar për kreditë bankare dhe tjetri prej 55 mln eurosh i destinuar për menaxhimin dhe zhvillimin e ekipit.

Por një gjë duhet pasur kujdes. Dy këstet prej 60 mln eurosh të caktuara për kërkesat buxhetore nuk do të përdoren në investimet e fushatës së merkatos verore. Zyrtarë të klubit shpjegojnë se për merkaton janë në dispozicion 100-150 milionë euro të tjera, që do të shfrytëzohen sipas nevojave dhe mundësive që të ofron merkatoja, të ndara pikërisht nga plani i biznesit industrial të Li Yonghong. Dhe kjo është theksuar edhe nga “Elliott”, huadhënës te Li me 303 milionë euro, fond që kërkon të shohë investime dhe jo vetëm vënien nën kontroll të shpenzimeve.

Megjithatë një premtim duket se nuk është mbajtur. Ende nuk janë në dispozicion CV-të e Li Yonghong dhe krahut të tij të djathtë, Han Li, siç ua kishin premtuar më 14 prill se do t’i publikonin brenda një jave përpara aksionerëve të vegjël, gjatë punimeve të asamblesë të nesërmen e arritjes së akordit të shitjes së klubit.

Top Channel