Thaçi: Shqipëria e madhe, fantazi. Beogradi e përdor për Serbinë e madhe

03/05/2017 00:00

Për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Beogradi po e përdor “Shqipërinë e Madhe” për të legjitimuar “Serbinë e Madhe”.

Në intervistën e gjatë dhënë agjencisë së lajmeve “BETA”, Thaçi flet për një fantazëm të cilën Serbia e mban gjallë, sepse i shërben interesit të saj për të legjitimuar synimet e veta nën hundën e BE-së dhe të komunitetit ndërkombëtar.

Në muajin prill, presidenti kosovar reagoi pas deklaratës së Edi Ramës se mungesa e një perspektive të anëtarësimit europian do të ketë pasoja. “Nëse BE-ja e lë jashtë Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”, ishte komenti i Thaçit.

I pyetur tani nga reporteri i “BETA-s mbi kundërpërgjigjet që solli ajo deklaratë, Thaçi sqaron se thjesht ka përsëritur atë që është pohuar prej kohësh: mungesa e lidershipit dhe vizionit në Bruksel po i hap rrugë ideologjive dhe ndikimeve të tjera në rajon, nacionalizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit politik.

“Në të njëjtën kohë, po lejon që në Ballkan të shtrijnë ndikimin e tyre shtete të tjera me axhenda krejt të kundërta. Ne dëshirojmë forcimin e paqes dhe stabilitetit, prandaj angazhohemi për anëtarësim sa më të shpejtë në strukturat euroatlantike. Por edhe NATO, e veçanërisht BE-ja, duhet të bëjnë ç’është e mundur për afrimin e rajonit. Vetëm duke parë qartë në horizont perspektivën europiane, do të mund t’i bëjmë ballë kërcënimeve të ideologjive të tjera”, u shpreh Thaçi.

“Asnjëherë nuk e kam përmendur Shqipërinë e madhe në diskursin tim politik, – vazhdon ai. – Ajo është thjesht krijesë e Serbisë”. Reagimet e Beogradit, Thaçi i përshkroi si përsëritje të historive të vjetra, me të cilat e kanë manipuluar e frikësuar popullin për dekada të tëra, dhe si të njëjtat stereotipe e paragjykime, me të cilat u ngrit në pushtet Milosheviçi.

Top Channel