“Play off”-et e NBA, Thomas i jep fitoren Bostonit

03/05/2017 00:00

Boston Celtics fiton sërish ndaj Washington Wizards në gjysmëfinalet e Konferencës së Lindjes për kampionatin amerikan të basketbollit, NBA.

Në “TD Garden”, Celtics vuajtën shumë në përballjen me Wizards, por arritën ta mbyllin sfidën në favorin e tyre pas kohës shtesë, me rezultatin 129-119. Petkun e heroit e veshi Thomas, që vendosi një rekord personal me 53 pikë të shënuara, pikërisht ditën kur motra e tij do të festonte 23-vjetorin e saj të lindjes.

Boston ishte në ndjekje të Washingtonit për pjesën më të madhe të kohës, por në fund arriti të ndryshojë situatën në parket dhe ta çojë këtë ndeshje në kohën shtesë, aty ku bëri edhe diferencën për të mbyllur më pas llogaritë e sfidës.

Tashmë bilanci i përballjeve gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes është 2-0 për skuadrën e Bostonit.

Në Konferencën e Perëndimit, gjithçka rezultoi e lehtë për Golden State Warriors në sfidën e parë gjysmëfinale ndaj Utah Jazz, që e fitoi 106-94. Skuadra kaliforniane, edhe këtë radhë ishte pa trajnerin Steve Kerr në pankinë, megjithatë kjo nuk e pengoi atë të vendosë diktatin në fushë, që nga fillimi e deri në fund.

Në periodën e dytë, Golden State arriti të krijojë një diferencë prej 17 pikësh, e cila në periodën e katërt arriti deri në 21 pikë. Një situatë që u bë e lehtë për t’u administruar nga Warriors, për të cilët shënuesi më i mirë i takimit ishte Stephen Curry, me 22 pikë, ndërkohë që spikati edhe Draymond Green, me 17 pikë, 8 topa në tabelë e 6 asiste.

Top Channel