Milani kërkon Fabregas, por spanjolli është në mëdyshje

03/05/2017 00:00

Cesc Fabregas është një prej futbollistëve që janë vënë në shënjestrën e Milanit. Për kuqezinjtë, kjo do të jetë tentativa e tyre e tretë për të sjellë në Milano mesfushorin spanjoll, pas dështimeve në muajin gusht 2016 dhe janar 2017.

Prej javësh, drejtori sportiv i kuqezinjve Mirabelli po punon për të bindur Fabregas të transferohet në Serie A, por kjo çështje nuk është e lehtë për t’u zgjidhur, e kjo për disa arsye.

Së pari, Fabregas ka një kontratë me Chelsean që skadon në vitin 2019, me “blutë” e Londrës që kërkojnë jo më pak se 25 milionë paund për kartonin e tij. Së dyti, Chelsea nuk dëshiron që të privohet nga Fabregas pa gjetur më parë zëvendësuesin e tij. Arsyeja e fundit ka të bëjë me vet Fabregas, i cili ka dyshimet e tij, pasi nuk dëshiron që në moshën 30-vjeçare të bëjë një zgjedhje të gabuar.

Spanjolli e admiron Italinë, por për të pranuar kalimin te Milani duhet t’i ofrohet një kontratë afatgjatë, e shoqëruar me një pagë që të jetë të paktën 5 milionë euro në sezon. Për më tepër, Fabregas kërkon edhe garanci për projektin e Milanit, pasi dëshiron që të jetë në qendër të vëmendjes së një skuadre kompetitive, që mund të luftojë për titullin kampion dhe një vend në Champions League.

Por për momentin, Milani nuk ia ka premtuar këto garanci, gjë që ka bërë që mesfushori të verësojë edhe oferta të tjera, ku së fundmi në listën e pretendentëve ka shënuar emrin e tij edhe Liverpool.

Top Channel