Roma, gati revolucioni në fund të sezonit

03/05/2017 00:00

Humbja në derbin me Lazion këtë fundjavë, që ishte e shtata në këtë sezon, ka lënë plagë të thella te Roma, të cilat duken të vështira për t’u kuruar.

Kjo ka bërë që te verdhekuqtë të mendohet për ndryshime të mëdha në fund të sezonit, e nuk janë të paktë lojtarët që priten të largohen. Tashmë në “Trigoria” pritet ardhja e drejtorit të ri sportiv të skuadrës, Monchi, i cili duket se do të konfiirmojë teorinë e “revolucionit” në skuadrën romane.

Ideja e krijuar është që Roma të ndërtohet rreth Allison, Fazio, De Rossi, Strootman e Perrotti, ndërkohë që Dzeko, Manolas, Nainggolan, e ndoshta edhe Salah mund t’i thonë lamturmirën skuadrës italiane.

Rudiger dhe Paredes janë dy futbollistë të tjerë, te të cilët drejtuesit e Romës do të kërkojnë që të vazhdojnë të besojnë, duke parë edhe moshën e tyre të re.

Sigurisht që te Roma do të ketë edhe blerje të reja, por lëvizjet në merkato do të varen nga pozicioni ku do të mbyllë sezonin sa i përket klasifikimit. Vendi i dytë në këtë moment merr një vlerë të madhë për verdhekuqtë.

Nëse ata dështojnë të kualifikohen drejtpërdrejt në fazën e grupeve të Champions League, atëherë drejtuesit e klubit do të jenë të detyruar të nxjerrin të tjerë futbollistë në merkaton e transferimeve. Synimi i Romës është sigurimi i futbollistëve të rinj, siç është sulmuesi i Sampdorias, Schick, ndërkohë që po vijon puna që të sigurohet edhe Kessie nga Atalanta.

Top Channel