Ribashkohet familja Trump. Zgjidhet shkolla për 11-vjeçarin Barron

03/05/2017 00:00

Familja Trump ka bërë një hap më shumë drejt ribashkimit në Shtëpinë e Bardhë, me presidentin Donald Trump dhe bashkëshorten e tij, Melania, që kanë zgjedhur tashmë një shkollë për djalin e tyre 11-vjeçar, Barron.

“Ata thuajse janë të sistemuar”, tha Trump për bashkëshorten dhe djalin e tij, gjatë një interviste për “Bloomberg”. “Në fakt, ne sapo e kemi regjistruar në një shkollë të mirë”.

Zonja e Parë vazhdon të jetojë në kullën “Trump” në qytetin e Nju Jorkut, derisa Barron të përfundojë vitin shkollor. Presidenti dhe ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë janë pyetur në vijimësi, nëse Melania dhe Barron do të transferohen në Uashington, por përgjigjja në vazhdimësi ka qenë se ata do të transferohen gjatë verës.

Nuk është shumë e qartë se ku do të vijojë mësimin 11-vjeçari Barron, pasi i pyetur posaçërisht nga “Bloomberg”, presidenti Trump tha: Nuk do ta tregoj!

Në anën tjetër, CNN është interesuar në shumë shkolla private në zonën e Uashingtonit, ku familja Trump është ndalur, por për momentin nuk ka marrë asnjë konfirmim. Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të flasë as për temën dhe as për datën e mundshme të transferimit të Zonjës së Parë.

Vajza e ish-presidentit Obama, Malia Obama u diplomua në shkollën “Sidwell Friends” në veriperëndim të Uashingtonit vitin e kaluar, ndërsa Sasha vijon edhe këtë vit mësimin atje.

Chelsea Clinton, vajza e ish-presidentit Bill Clinton, po ashtu u diplomua në “Sidwell” në vitin 1997. Presidenti Jimmy Carter bëri jo pak bujë, kur vajza e tij Amy ndoqi mësimet në një shkollë publike në Uashington. Familja Kennedy hapi një kopësht në Shtëpinë e Bardhë për vajzën Karoline, në vitin 1963. Trump e quajti Shtëpinë e Bardhë një “guackë” në intervistën e tij për “Bloomberg”, por tha gjithashtu se do të ishte një vend i mirë për të rritur djalin e tij.

Top Channel