Simeone pranon superioritetin e Real: Ta harrojmë sa më shpejt rezultatin

03/05/2017 00:00

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Pablo Simeone e pranoi superioritetin e Realit në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Champions League.

Ai theksoi gjithashtu se do të ishte më mirë, që futbollistët e tij ta harrojnë sa më shpejt këtë rezultat.

“Futbolli është ai që ndodh në fushën e lojës dhe rivali ynë ishte më lart sesa ne. Duhet ta urojmë Realin për fitoren. Por do të jetë më mirë ta harrojmë këtë ndeshje, pasi të shtunën kemi një tjetër sfidë për të luajtur. Përsa i përket përballjes së kthimit, do të japim maksimumin për sa kohë kemi edhe mundësinë më të vogël për kualifikim”, tha argjentinasi Simeone.

Reali i Madridit, mbrëmjen e djeshme hodhi një hap të madh drejt finales së Championsit, që do të ishte e treta për “Los Blancos” në 4 vitet e fundit, pas fitores së thellë 3-0 ndaj Atletico Madrid, në “Santiago bernabeu”.

Një rezultat ky që e la mëse të kënaqur Zinedine Zidane. Trajneri francez i “merengues”-ve vlerësoi në maksimum lojën e skuadrës së tij.

“Ajo që mund të them është se ne ishim superiorë ndaj kundërshtarit tonë. Mjafton të shohësh ndeshjen dhe rezultatin 3-0. Kjo do të thotë se luajtëm mirë. E dimë që kemi edhe ndeshjen e kthimit në ‘Vicente Calderon’, atje ku është mëse e sigurtë se do të vuajmë shumë”, tha Zidane.

Top Channel