“Der Spiegel”: Si ndryshoi Gruevski, liberali që u bë ultranacionalist, në pushtet

03/05/2017 00:00

“Shqiptarët kërkojnë atë që iu mohua në 2001-shin”, shkruan prestigjiozja gjermane “Der Spiegel”.

Nikola Gruevski, – kujton e përjavshmja më e madhe europiane, – përfitoi dikur si liberal dhe si modernizues i vendit të tij. I diplomuar në ekonomi, që në moshën 28 vjeç ishte ministër i Financave e pak përpara se të mbushte 36 zuri karrigen e kreut të ekzekutivit, të një shteti që aspironte anëtarësimin në NATO e Bashkimin Europian.

Asokohe, Maqedonia së bashku me Kroacinë shiheshin si vendet e Ballkanit më pranë afrimit me BE-në. Por Gruevski i hyri ngadalë një rruge të ultranacionalizmit dhe sundimit populist. “Ai ka qeverisur me metoda kriminale, duke nisur nga falsifikimi i zgjedhjeve e deri te dyshimet për vrasjen e kundërshtarëve politikë”, vazhdon revista.

Pra, Maqedonia është kthyer – sipas saj, – nga shtet model, në shtet eksploziv.

“Der Spiegel” ndalet edhe tek episodi i dhunshëm i 27 prillit. “Për interesat e tij politike, Gruevski kërkon të viktimizojë të gjithë Maqedoninë”, është mesazhi i shkrimit.

“Ai kërkon ta çojë Maqedoninë drejt kaosit, e më pas të hiqet si faktor stabilizues. Por e vetmja alternativë që mbetet për këtë njeri është burgu”, citon media gjermane analistin Sasho Ordanovski.

Në thelb, partitë shqiptarë kërkojnë më shumë të drejta, veçanërisht atë të gjuhës, të cilat në fakt janë garantuar nga Marrëveshja e Ohrit, – thuhet më tej në artikull, – por që deri tani, shumë pak është bërë në këtë drejtim, gjë që i ka shtyrë shqiptarët të ndihen si qytetarë të dorës së dytë.

Top Channel