Takimi “i ftohtë” Merkel-Putin për Sirinë, Ukrainën…Çeçeninë

02/05/2017 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel udhëtoi drejt Rusisë, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin.

Gjatë kësaj vizite mjaft të rrallë, e para që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Merkel deklaroi se Berlini dhe Moska duhet të vazhdojnë të flasin, pavarësisht mosmarrëveshjeve, por duket se ishin pikërisht këto të fundit që lanë në hije bisedimet e saj me Vladimir Putin.

Ndërsa nuk u arrit në ndonjë përfundim të përbashkët, diçka që në fakt nuk pritej nga askush, vëmendja u përqëndrua në konferencën e përbashkët për shtyp nga qyteti i Soçit, ku dy udhëheqësit vunë në dukje qëndrimet e ndryshme për Sirinë, Ukrainën dhe respektin rus për të drejtat e njeriut.

Gjuha e trupit mes Merkel dhe Putin sugjeroi tension, fytyrat e tyre qëndruan të ashpra ndërsa flisnin me reporterët, ndërsa nuk vështruan njëri-tjetrin thuajse asnjëherë. Në vija formale, dy udhëheqësit kërkuan implementimin e marrëveshjes së Minskut për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, një pakt që nga ekspertët konsiderohet tashmë i vdekur.

Ndërsa kërkoi një hetim të plotë për sulmin e pretenduar me armë kimike në Siri, Putin shfrytëzoi rastin për të thënë se Rusia nuk ndërhyn në zgjedhjet e asnjë vendi tjetër.

Në Gjermani votohet këtë vit dhe, e pyetur për spekulimet e medieve, Merkel tha se s’është e shqetësuar për ndërhyrje të tilla. Kancelarja gjermane në fakt e shfrytëzoi rastin për të kërkuar ndërhyrjen ruse për mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve në Çeçeni, nga ku raportohen shkelje serioze, megjithëse nga Moska nuk mori asnjë reagim për këtë.

Top Channel