Hamburgu në krizë, “Bild”: Mavraj & Co, “bidona të artë”

02/05/2017 00:00

Me 4 humbje në 5 ndeshjet e fundit, Hamburgu rrëshqiti në vendin e 16 në renditjen e Bundesligës gjermane. Në 4 vitet e fundit, skuadra nga qyteti portual verior rrezikon rënien në një kategori inferiore për herë të tretë dhe, përveç protestave e pakënaqësive të tifozëve, gishtin e akuzës e drejtuan edhe mediet në një repart të vetëm.

“Bild” i cilësoi si “bidona” futbollistët e prapavijës së Hamburgut, mes të cilëve dhe shtyllën e mbrojtjes së kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj. 30-vjeçari i lindur në Hanau të Gjermanisë, por që mbron ngjyrat kuqezi, së bashku me 4 kolegë të tjerë po cilësohet si dështim në 5 muajt e parë në këtë skuadër.

“Çfarë po ndodh e gabuar me Mavrajn! Vetëm 12% pasime të gabuara në ish-klubin e tij Koln, por një mesatare prej 33% topash të humbur me Hamburgun. Në 12 ndeshje me Mavrajn në fushë, ekipi ka marrë vetëm 13 pikë”, shkruhet nga “Bild”.

Në ndeshjen e fundit me Augsburgun, Hamburgu u mposht me rezultatin e thellë 4-0. Kjo ishte humbja e tretë radhazi e ekipit dhe për këtë, mbrojtja me Mavraj, Gregorisch, Papadopoulos, Ostrzolek dhe Hunt, është fajtore sipas shtypit.

Top Channel