Gjysmëfinalet e Europa League, United pretendent

02/05/2017 00:00

Manchester United mbetet skuadra favorite për të ngritur trofeun e Europa League këtë sezon, por mungesat e shumta mund të cënojnë fushatën kontinentale të Jose Mourinhos në pankinën e “djajve të kuq”.

Luke Shaw dhe Eric Bailly u dëmtuan në barazimin zhgënjyes kundër Swansea, e kjo nënkupton që të enjten në mbrëmje, në krah të Daley Blind në qendër të mbrojtjes do të jetë italiani Darmian.

Nën mungesën me peshë të Zlatan Ibrahimoviç, do të jetë detyra e Martial apo Rashford për të tundur rrjetën e spanjollëve. Mbetet për t’u parë se cili mes sulmues të talentuar do të preferohet nga trajneri Mourinho në stadiumin e Vigos.

Për vendasit e Celtës pritet sërish varësia ndaj Iago Aspas, talenti që këtë sezon ka qenë në një formë të shkëlqyer me 24 gola, aq sa të fitojë në moshën 29-vjeçare grumbullimin e parë me kombëtaren spanjolle.

Gjysmëfinalja tjetër mes Ajax dhe Lyon duket disi më e balancuar, me provën e parë në aksin franko-holandez që do të luhet të mërkurën në orën 20:45.

Të dy ekipeve iu desh koha shtesë për të arritur në këtë pikë të turneut, por progresi i ekipit nga Amsterdami u duk më evident. Gjithsesi, skuadra e vendit të tulipanëve duhet të ringrejë moralin pas humbjes ndaj PSV-së, që me gjasë ka shuar shpresat për fitoren e titullit në Holandë. Pezullimi i Joël Veltman për të mërkurën është një minus i madh.

Ndërkohë, Lyon do të mbështetet tek arsenali sulmues për të siguruar supremacinë në Amsterdam. Skuadra franceze ka shënuar në të gjitha përballjet, që kur u spostua në Europa League, plot 19 gola në 6 ndeshje. Alexandre Lacazette është në dyshim për një dëmtim në gju, por nëse nuk do të luajë, Nabil Fekir do të dijë ta kompensojë mungesën.

Top Channel