Përkthyesja e FBI-së, e martuar me xhihadistin e Shtetit Islamik

02/05/2017 00:00

Një përkthyese e FBI-së udhëtoi në Siri për t’u martuar me një ish-reper gjerman të shndërruar në rekrutues të Shtetit Islamik, një person që ajo duhej ta hetonte.

Historia e pabesueshme zbulohet nga CNN, sipas së cilës, 38-vjeçarja Daniela Green mori detyrën që të hetonte shtetasin gjerman Denis Cuspert në janar të vitit 2014.

Cuspert njihej ndryshe me emrin e artit “Desso Dog”, por pas një karriere të dështuar u shfaq në Siri përkrah Shtetit Islamik, ku edhe u bë një prej rekrutuesve më të mirë. Me emrin e luftës “Abu Talha al-Almani” në Siri, shtetasi gjerman u shfaq në disa video propagandistike xhihadiste, madje në njërën prej tyre kërcënoi Barack Obamën me shenjën e prerjes së fytit.

Në qershor të vitit 2014, vetëm 6 muaj pasi mori përsipër hetimin e Desso, Daniela Green, në atë kohë e martuar, kërkoi leje për t’u larguar nga vendi për të parë familjen e saj në Gjermani. Por në fakt udhëtoi drejt Sirisë, ku u martua me xhihadistin që duhej të hetonte dhe e paralajmëroi atë se ishte nën hetim.

Megjithatë, vetëm një muaj pasi kishte jetuar me Cuspert dhe nën Shtetin Islamik, në korrik të vitit 2014, Green u pendua ndjeshëm për veprimin e saj dhe këtë e tregon në një “e-mail” të saj dërguar në SHBA.

Pak ditë më vonë, ajo kthehet në SHBA, ku dhe arrestohet. Ndërsa pjesa më e madhe e këtij rasti është mbajtur sekret, CNN thotë se ka ngjallur kontradikta fakti që ajo u dënua me vetëm dy vite burg dhe tashmë është e lirë, ndërkohë që krimi më i vogël në SHBA në lidhje me terrorizmin është dënuar me 13 vite burg.

Zyrtarë nga FBI-ja dhe Prokuroria thonë se, ajo e kuptoi gabimin dhe ka bashkëpunuar, por ende nuk është e qartë sesi u dashurua me objektivin e saj dhe çfarë mund t’i ketë treguar atij, duke qenë se, si pjesë e FBI-së, Green kishte qasje në informacione mjaft të rezervuara. Përsa i takon burrit të saj xhihadist, Denis Cuspert, ai është ende në Siri dhe vazhdon të luftojë përkrah Shtetit Islamik.

Top Channel