Hamas “pranon” Izraelin dhe idenë e krijimit të dy shteteve

02/05/2017 00:00

Grupi i militantëve palestinezë, Hamas ka zbutur qëndrimin ndaj Izraelit, duke pranuar për të parën herë idenë se, zgjidhja me dy shtete e konfliktit të vjetër mes tyre është një realitet i domosdoshëm.

Në programin e tij të ri politik mbështetet ideja e krijimit të një shteti tranzitor palestinez brenda kufijve ekzistues të vitit 1967, përpara se shteti hebre të merrte nën kontroll Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor.

Edhe pse sërish nuk e njeh Izraelin, Hamasi këtë radhë e ka anashkaluar apelin e përhershëm për shkatërrimin e armikut të vet të madh.

“Hamasi e konsideron krijimin e një shteti sovran e të plotë palestinez mbi kufijtë e vitit 1967, me Jeruzalemin kryeqytet të tijin, dhe kthimin e refugjatëve në tokën e tyre, si një marrëveshje të kënaqshme që ka fituar konsensusin e pjesëtarëve të lëvizjes sonë”, tha Khaled Meshaal, udhëheqës i Hamasit.

Për zëdhënësin e grupit, Faëzi Barhoum, dokumenti i jep Hamasit një mundësi për t’u lidhur me botën e jashtme e për t’i treguar se nuk është radikal.

“Ne jemi një lëvizje pragmatike dhe e civilizuar, – tha ai. – Nuk i urrejmë hebrenjtë. Thjesht luftojmë ata që na pushtuan tokat dhe vrasin njerëzit tanë”.

Izraeli reagoi menjëherë, duke thënë se nuk i beson asnjë fjalë organizatës së militantëve, nismën e së cilës e cilëson “një përpjekje për t’i hedhur botës hi syve”.

Lëvizja vjen pak përpara takimit të parashikuar në Shtëpinë e Bardhë mes Donald Trump dhe Mahmoud Abbas, lëvizja Fatah e të cilit është kundërshtare e Hamasit.

Top Channel