Vuçiç: Nuk ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Maqedonisë

02/05/2017 00:00

Presidenti i zgjedhur serb, Aleksandar Vuçiç nuk ka ndërmend të përfshihet në krizën maqedonase, duke e bërë të qartë se Beogradi s’ka për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të vendit fqinj.

Sipas Vuçiç, është e një rëndësie kyçe që të ruhet qetësia e që gjendja të mbahet nën kontroll, apel ky të cilin ua përcolli të gjithë aktorëve të përfshirë politikë, të cilëve u kujton domosdoshmërinë e stabilitetit të Ballkanit.

I pyetur mbi zgjedhjen e Talat Xhaferit në krye të Kuvendit maqedonas, Vuçiç preferoi të mos jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë, por i mëshoi idesë së paqes e stabilitetit dhe jo përflakjes së situatës së brendshme politike.

Vet Xhaferi deklaron se do të jetë kryeparlamentar i të gjithëve. Pas takimit me zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, njeriu, zgjedhja e të cilit u kontestua shumë e u shënua nga episodet e dhunshme të 15 prillit në sallën e Kuvendit të Maqedonisë, shpjegon se është zotuar përpara diplomatetit të lartë amerikan të marrë angazhime gjithëpërfshirëse, që të gjitha institucionet e vendit t’i rikthehen punës.

“E sigurova zotin Yee se do të jem kryetar i të gjithë deputetëve në Parlament, pa marrë parasysh nga cila forcë politike vijnë dhe nëse më njohin apo jo si kryetar të ri të Parlamentit”, është shprehur ai.

Udhëheqësi i opozitës, Zoran Zaev, pas takimit me Brian Yee tha se qeveria e ardhshme është e gatshme të bashkëpunojë me atë që do të jetë opozita e re e vendit, në të mirën e proceseve integruese.

“Zgjedhja e besueshme e kryeparlamentarit të ri nga radhët e shumicës paralmentare do të rezultojë me krijimin e qeverisë së re të Maqedonisë”, ishte komenti i Zaev.

Top Channel