“Play off”-et e NBA, fitojnë Cleveland dhe Houston

02/05/2017 00:00

Cleveland Cavaliers e nisi mjaft mirë serinë e ndeshjeve gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes në kampionatin e NBA. Në “Quicken Loans Arena”, skuadra nga Ohio mposhti Toronton 116-105, për të marrë kryesimin 1-0 ndaj kanadezëve.

Edhe këtë radhë ishte LeBron James, ai që ndezi ndeshjen me 35 pikë, 10 topa në tabelë dhe 4 asiste, ndërkohë që dha kontributin e tij edhe Kyrie Irving, me 24 pikë dhe 10 asiste.

Për “Raptors”, më i miri në parket ishte Lowry, me 20 pikë dhe 11 asiste. Diferenca në parket në këtë ndeshje u bë pas periodës së tretë, kur Cleveland u shkëput me 22 pikë në 96-74, pas rezultateve të pjesshme 30-18 dhe 34-26.

Krejtësisht e kundërta ndodhi me San Antonion, që në “AT&T Center” u dorëzua pa kushte në derbin teksan ndaj Houstonit, teksa humbi me rezultatin 99-126 dhe tani është në disavantazhin 0-1 në serinë e gjysmëfinaleve të Konferencës së Perëndimit.

Ata që drejtuan Houstonin drejt kësaj fitoreje ishin Ariza, me 23 pikë, 2 asiste dhe 4 topa në tabelë, si dhe Capela, me 20 pikë, një asist dhe 13 topa në tabelë. Houston e vendosi ndeshjen në drejtimin e dëshiruar që në pjesën e parë të saj, kur arriti të krijojë një avantazh prej 30 pikësh me rezultatin 39-69. Për San Antonion, i vetmi që nuk hoqi dorë ishte Leonard, që e mbylli ndeshjen me 21 pikë, 6 asiste dhe 11 topa në tabelë.

Top Channel