Euroderbi i Madridit, Real-Atletico në Champions League

02/05/2017 00:00

Sot në mbrëmje në “Santiago Bernabeu” do të luhet ndeshja e parë gjysmëfinale e Champions League mes Realit dhe Atletico Madrid që së fundmi është pagëzuar edhe Euroderbi.

Kjo ndeshje është një përsëritje e finales së vitit 2016 ku Reali do të kërkojë të thyejë sërish rivalët e Atleticos edhe pse e di shumë mirë që nuk do të jetë aspak e lehtë gjë që e thekson edhe trajneri Zidane.

“Atletico përmirësohet vit pas viti dhe është një skuadër që na hap gjithnjë probleme”, tha Zidane. “Pika më e fortë e kësaj skuadre është se nuk dorëzohet kurrë, çfarë do që të ndodhë. Atletico është një skuadër që lufton gjithnjë dhe e di se cfarë armësh ka në dispozicion për të na dëmtuar”.

Në krahun tjetër, Diego Pablo Simeone theksoi se nuk e imagjinon rezultatin e kësaj ndeshjeje ndërkohë që nuk harroi të vlerësojë punën e bërë nga Zidane në drejtimin e Realit të Madridit.

“Zidane ka bërë një punë fantastike”, tha Simeone. “Ai e mori drejtimin e skuadrës në janar të 2016 në momentin më të vështirë të saj. Arriti të vërë një ekuilibër dhe të krijojë një ekip të madh që të konkurrojë në nivele të larta sic po bën tani”.

Për këtë gjysmëfinale, Reali i Madridit nuk do të ketë Gareth Bale, i cili me shumë gjasa do të zëvendësohet nga Isco, ndërkohe që Varane duket se do të rikthehet në fushat e lojës për të formuar dyshen me Sergio Ramos në qendër rë mbrojtjes.

Në krahun tjetër, Simeone duhet të sajojë linjën e mbrojtjes duke qenë se Juanfran dhe Gimenez janë të dëmtuar, ashtu sikurse e dhe Vrsaljko. Kështu që argjentinasi ka shumë mundësi të aktivizojë Savic dhe Lucas. Ndërkaq, Carrasco ka marrë lejen e mjekëve dhe pritet të luajë ndaj Realit të Madridit.

Top Channel